Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna personale mbledh aplikacioni Pastrix Crew kur e përdorni për punën tuaj, pse i mbledh, kush i sheh dhe cilat janë zgjedhjet tuaja. Aplikacioni është menduar vetëm për punonjësit e kompanive të pastrimit që punojnë me Pastrix. Llogaria nuk hapet nga vetë përdoruesi.
Kush përgjigjet për të dhënat. Llogarinë tuaj e hap dhe e mbyll kompania ku punoni. Ajo vendos se cilat të dhëna të punës mbahen dhe për sa kohë, pra është ajo që përgjigjet për to. REVO SHPK, NIPT M52410029I, Rruga Panorama, Tiranë ("ne"), e ofron platformën në emër të saj dhe i përpunon të dhënat sipas udhëzimeve të saj. Për pyetje drejtojuni së pari zyrës suaj; mund të na shkruani edhe ne në [email protected].
Çfarë mbledhim
- Hyrja juaj – emrin, adresën e emailit dhe fjalëkalimin (i ruajtur vetëm i enkriptuar, asnjëherë në formë të lexueshme), rolin tuaj dhe skuadrën ku bëni pjesë. Këto i vendos zyra kur ju krijon llogarinë.
- Puna e ditës – vizitat që ju caktohen, ora kur e hapni dhe kur e mbyllni secilën, shërbimet që kryeni dhe shënimet që shkruani. Bashkë me vizitën ju shfaqet edhe emri, adresa dhe telefoni i klientit, që të shkoni atje dhe ta kontaktoni nëse duhet.
- Vendndodhja – shihni seksionin e veçantë më poshtë.
- Fotografitë – fotot "para" dhe "pas" që bëni për një vizitë. Fotoja zvogëlohet në telefon para se të dërgohet dhe të dhënat shoqëruese të skedarit (përfshirë vendndodhjen që ruan zakonisht kamera) hiqen gjatë kësaj përpunimi.
- Pajisja juaj – një kod njoftimesh që t'ju njoftojmë për punë të re, modeli i telefonit, versioni i sistemit dhe i aplikacionit. Kur dërgohet një pozicion, dërgohet edhe niveli i baterisë, që zyra të dijë nëse telefoni po fiket para se t'ju humbasë lidhja.
- Të dhëna teknike – adresa IP dhe koha e hyrjes, të ruajtura për siguri, si dhe regjistra gabimesh kur diçka nuk punon.
Vendndodhja – kur dhe pse
Vendndodhja shërben për një gjë: që zyra të dijë ku është skuadra ndërsa puna është duke u kryer, dhe që një vizitë të ketë vendin bashkë me orën.
- Vetëm gjatë punës. Pozicioni dërgohet ndërsa jeni rrugës për te një vizitë ose ndërsa një vizitë është në proces, rreth një herë në çdo gjysmë minute. Jashtë këtyre momenteve nuk dërgohet asgjë.
- Vetëm me aplikacionin hapur. Aplikacioni nuk kërkon leje për vendndodhje në sfond dhe nuk e lexon vendndodhjen kur është i mbyllur.
- Në momentin e butonit. Kur shtypni Nis ose Mbyll, merret një lexim i vetëm, që vizita të mbetet e regjistruar me vend e me orë.
- Mund ta ndalni. Te Cilësimet → Ndaj vendndodhjen time e fikni kur të doni, dhe mund t'ia hiqni lejen aplikacionit nga vetë telefoni. Zyra e sheh që nuk po raportoni.
- Historiku është zgjedhje e kompanisë dhe është i kufizuar. Në gjendjen e parazgjedhur ruhet vetëm pozicioni i fundit, i cili mbishkruhet sa herë dërgohet një i ri. Nëse kompania juaj e aktivizon historikun, ai mbahet vetëm brenda orarit të punës (përfshirë gjysmë ore para vizitës së parë dhe pas së fundit), jo çdo lexim por një pikë në çdo disa minuta ose disa dhjetëra metra, dhe fshihet automatikisht pas periudhës që ka caktuar kompania.
Pse i përdorim
- Për t'ju treguar punën e ditës dhe çdo ndryshim në të.
- Për t'ju njoftuar kur ju caktohet punë e re ose kur afrohet një vizitë.
- Për t'i treguar zyrës se ku është skuadra dhe sa zgjati realisht puna, që dita të organizohet dhe klienti të marrë përgjigje.
- Për të dokumentuar gjendjen para dhe pas punës: fotot janë prova e punës së kryer përballë faturës dhe përballë çdo ankese.
- Për ta mbajtur shërbimin të sigurt dhe për të parandaluar abuzimet.
Këto të dhëna përpunohen për të kryer marrëdhënien e punës mes jush dhe kompanisë, në interesin e ligjshëm të saj për të organizuar punën dhe për të provuar shërbimin e kryer, si dhe për të përmbushur detyrime ligjore. Të dhënat tuaja nuk i përdorim për reklama dhe nuk i shesim kurrë.
Kush i sheh
- Zyra e kompanisë ku punoni – mbikëqyrësi dhe administrata shohin punën tuaj, orët dhe pozicionin ndërsa jeni në punë.
- Klienti – merr njoftim se skuadra është nisur dhe se puna u mbyll, si dhe fotot e vizitës së vet. Nuk sheh pozicionin tuaj në hartë.
- Stafi ynë, vetëm kur duhet për të mbajtur shërbimin në punë ose për të zgjidhur një problem.
- Ofruesit e shërbimeve që mbajnë pjesë të shërbimit për ne: hostimi, dërgimi i emaileve, njoftimet në telefon dhe Google Maps për hartën e vizitës. Secili i përpunon të dhënat vetëm për atë qëllim. Përdorimi i hartës nga Google rregullohet nga politika e privatësisë së Google.
- Autoritetet, vetëm kur ligji e kërkon.
Sa kohë i ruajmë
- Llogaria juaj, derisa kompania ku punoni ta mbyllë.
- Pozicioni i fundit, derisa ta zëvendësojë leximi tjetër. Historiku i pozicioneve, nëse kompania e mban, fshihet automatikisht pas periudhës që ka caktuar ajo.
- Vizitat, orët dhe fotot i ruan kompania që e kreu punën, për aq kohë sa e kërkon ligji për kontabilitetin dhe tatimet.
- Regjistrat e sigurisë, për një periudhë të shkurtër dhe më pas fshihen.
Llogaria juaj
Llogaria në këtë aplikacion nuk hapet dhe nuk fshihet nga vetë ju: e krijon dhe e mbyll kompania ku punoni, sepse ajo i përket marrëdhënies suaj të punës dhe punës që keni kryer për klientët e saj. Kur largoheni nga puna, zyra e mbyll hyrjen tuaj dhe telefoni juaj nuk merr më asnjë të dhënë.
Për ta mbyllur llogarinë, për të parë të dhënat që mbahen për ju ose për të kërkuar fshirjen e tyre, kërkojini zyrës suaj. Nëse nuk merrni përgjigje, na shkruani në [email protected] dhe ne e përcjellim kërkesën te kompania përgjegjëse dhe ju përgjigjemi brenda 30 ditëve.
Kur dilni nga aplikacioni me Dil, telefoni juaj çregjistrohet nga njoftimet dhe të dhënat e ruajtura në të fshihen nga pajisja.
Të drejtat tuaja
Në çdo kohë mund të kërkoni të shihni të dhënat që mbahen për ju, t'i korrigjoni, t'i fshini ose të kundërshtoni një përdorim të tyre. Kërkesën mund ta bëni te kompania ku punoni ose te [email protected].
Nëse mendoni se të dhënat tuaja janë trajtuar gabim, mund të ankoheni edhe te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Fëmijët
Ky aplikacion përdoret vetëm nga persona të punësuar dhe nuk u drejtohet personave nën 16 vjeç.
Ndryshimet
Nëse e ndryshojmë këtë politikë, versioni i ri publikohet në këtë faqe me datën e tij. Kur ndryshimi është i rëndësishëm, do t'ju njoftojmë me email ose në aplikacion.